Bakteret dhe viruset
Si viruset ashtu edhe bakteret shkaktojnë infeksione, por antibiotikët veprojnë vetëm kundër baktereve.
Infeksionet virale
- Përfshijnë ftohjen, gripin, laringitin, ftohjet në kraharor (bronkit), dhe më së shumti dhimbjet e fytit.
- Zakonisht janë më ngjitëse se infeksionet bakteriale. Nëse më shumë se një person në familje ka të njëjtën sëmundje, ka shumë të ngjarë të jetë infeksion viral.
- Mund t’ju sëmurë po aq sa infeksionet bakteriale.
- Zakonisht e merrni veten për 4-5 ditë, por mund të duhen deri në 3 javë për t’u shëruar plotësisht.
- Antibiotikët nuk funksionojnë për infeksionet virale
Infeksionet bakteriale
- Janë më pak të zakonshme se infeksionet virale.
- Nuk përhapen aq lehtë si infeksionet virale, nga një person te tjetri.
- Shembuj të ngjashëm përfshijnë streptokokun e fytit dhe disa lloje të pneumonisë.
- Antibiotikët funksionojnë për infeksionet bakteriale, por nuk janë gjithmonë të nevojshme

Rezistenca ndaj antibiotikëve
Përdorni antibiotikët në mënyrën e duhur për të kufizuar zhvillimin e rezistencës ndaj antibiotikëve.

Larja e duarve
Larja e duarve është mënyra më e mirë për të ndaluar përhapjen e infeksioneve.
Ethet
Ethet janë temperatura e lartë e trupit, shpesh për shkak të sëmundjes. Lëkurë e skuqur, e nxehtë dhe e thatë, madje edhe poshtë sqetullave, është një shenjë ethesh.
Temperatura juaj ose temperatura e fëmijës tuaj varet nga pjesa e trupit ku matet.
Ethet:
- Ndihmojnë trupin të luftojë infeksionin
- Mund të shfaqen me infeksione virale dhe bakteriale
Menaxhimi:
- Ethet përbëjnë një mekanizëm mbrojtës që ndihmon trupin të luftojë infeksionin. Ethet mund të shfaqen me infeksione virale dhe bakteriale.
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimeve në paketim) nëse personi me ethe nuk ndihet mirë.
- Vishni veten ose fëmijën tuaj me veshje të lehta në mënyrë që të jeni të freskët, por jo të dridheni nga i ftohti, pasi dridhja gjeneron më shumë nxehtësi. Mbajeni temperaturën e dhomës rreth 20°C ose të freskët aq sa duhet.
- Pini shumë lëngje të freskëta. Jepini fëmijës tuaj lëngje të freskëta ose akullore çdo orë kur është zgjuar
Nëse një person i çdolloj moshe ka ethe dhe skuqje dhe ka qenë në një zonë ku qarkullon fruthi, kontaktoni Health Link (telefononi 811 në Alberta) për të marrë këshilla për mënyrën më të mirë të veprimit.
Ftohjet dhe rrjedhjet e hundëve
Ftohjet shkaktohen nga viruset. Janë rreth 200 viruse të ndryshme që shkaktojnë ftohjet. Fëmijët mund të kalojnë 8-10 ftohje në vit. Të rriturit kalojnë më pak ftohje sepse kanë krijuar imunitet ndaj disa prej viruseve. Antibiotikët nuk veprojnë kundër viruseve të ftohjes.
Simptomat:
- Në fillim keni dhimbje koke, ethe dhe lotim të syve, e ndjekur nga rrjedhje hundësh, dhimbje të fytit, teshtitje dhe kollë.
- Lëngu nga hunda është transparent në fillim, por më vonë trashet në ngjyrë të verdhë ose jeshile.
Parandalimi:
- Lani duart për të parandaluar përhapjen e viruseve që shkaktojnë ftohjet.
- Mësoni fëmijët tuaj të lajnë duart.
Menaxhimi:
- Pini shumë ujë, në cilëndo temperaturë që është më e përshtatshme.
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimeve në paketim) nëse personi me të ftohtë nuk ndihet mirë.
- Nëse jeni të ftohur ose po kujdeseni për dikë me ftohje, lani duart shpesh për të parandaluar infektimin e të tjerëve.
- Një dekongestant ose shurup për kollë mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave, por nuk do të shkurtojë kohën e ftohjes.
SHËNIM: Mos ua jepni këto produkte foshnjave ose fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç.
SHËNIM: Dekongestantët dhe shurupi për kollë mund të përmbajnë gjithashtu mjekim për uljen e temperaturës. Lexoni me kujdes etiketat dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për të shmangur mbidozën.
Përdorni ujë me kripë (saline) në formë pikash për të trajtuar bllokimin, veçanërisht për fëmijët dhe foshnjat. Përdorni ujë me kripë të blerë që hidhet me pika ose spërkatës ose përgatiteni vetë.
Ujë me kripë i bërë në shtëpi që hidhet me pika
Përzieni bashkë:
- 1 filxhan (240 ml) ujë të distiluar (nëse përdorni ujë rubineti, zieni
për një minutë për ta sterilizuar fillimisht dhe më pas ftoheni derisa
të bëhet i vakët) - 1⁄2 luge çaji (2,5 g) kripë
- 1⁄2 luge çaji (2,5 g) sodë buke
Vendoseni tretësirën në një shishe të pastër me pikatore, ose në një shishe që shtrydhet (gjendet në farmaci). Mund të përdorni edhe një shiringë nazale. Përgatisni një tretësirë të freskët çdo 3 ditë.
Përdorimi:
- Uluni dhe anoni pak kokën mbrapa. Mos u shtrini. Vendosni majën e pikatores, shiringën nazale ose shtrydheni shishen pak në brendësi të hundës. Pikoni butësisht ose hidhni disa pika në vrimë të hundës. Përsëriteni për vrimën tjetër të hundës. Fshini pikatoren me një leckë ose pecetë të pastër pas çdo përdorimi.
Gripi
Gripi shkaktohet nga një virus. Të rriturit me grip mund ta përhapin virusin te të tjerët për 3-5 ditë pas nisjes së simptomave. Fëmijët me grip mund ta përhapin virusin te të tjerët për deri në 7 ditë.
Simptomat:
- Ethe/të dridhura
- Dhimbje koke
- Dhimbje trupi ose muskujsh
- Ndiheni të lodhur
- Dhimbje fyti
- Rrjedhje ose bllokim hundësh/
teshtima - Kollë
Parandalimi:
- Bëni vaksinën vjetore kundër gripit.
- Lani duart, veçanërisht pasi takoni dikë që është i sëmurë. Mësoni fëmijën tuaj për larjen e duarve.
- Mbuloni hundën dhe gojën kur teshtini ose kolliteni.
- Mësoni fëmijën tuaj të përdorë rregullat e higjienës respiratore.
Menaxhimi:
- Pini shumë lëngje, si p.sh., ujë.
- Pushoni shumë ose lëreni fëmijën të pushojë shumë. Qëndroni në shtëpi ose mbajeni fëmijën tuaj në shtëpi për ditët e para të sëmundjes për të pushuar dhe për të parandaluar përhapjen te të tjerët.
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimeve në paketim) për ethe, dhimbje koke dhe dhimbje trupi.
Sezoni i gripit fillon zakonisht në nëntor ose dhjetor të çdo viti dhe përfundon në prill ose në maj. Herë pas here, gripi mund të çojë në pneumoni.
Infeksioni i sinuseve
Sinuset janë hapësira të mbushura me ajër rreth hundës dhe syve. Sinusiti ndodh kur krijohen lëngje në sinuse.
Sinusiti shfaqet më shpesh pas një ftohjeje, por shumica e ftohjeve nuk çojnë në sinusit bakterial. Simptomat e sinusitit janë më të rënda dhe zgjasin më shumë se ftohja.
Simptomat:
- Dhimbje ose presion në fytyrë, dhimbje koke, dhimbje dhëmbi, ndjenjë lodhjeje, kollë, ethe.
- Hunda e bllokuar me sekrecione nazale në ngjyrë të verdhë ose jeshile që zgjat më shumë se 10 ditë është shenjë se mund të keni nevojë për antibiotikë.
Menaxhimi:
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimit në paketim) për dhimbje ose ethe.
- Për fëmijët, përdorni pika ose spërkatës me ujë të kripur për të ndihmuar në lehtësimin e sekrecioneve të hundës (shikoni seksionin Ftohjet/rrjedhja e hundëve për recetën në faqen 9); për të rriturit, lagia me ujë të kripur është më efektive.
- Dekongestantët mund të lehtësojnë bllokimin, por nuk do shkurtojnë kohëzgjatjen e sëmundjes.
SHËNIM: Mos ua jepni këto produkte foshnjave ose fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç.
SHËNIM: Dekongestantët mund të përmbajnë gjithashtu mjekim për uljen e temperaturës. Lexoni me kujdes etiketat dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për të shmangur mbidozën.
Si bakteret ashtu edhe viruset mund të shkaktojnë sinusit (viruset janë 200 herë më të zakonshme).
Dhimbja e fytit
Dhimbja e fytit shoqërohet shpesh me ftohje. Shumica e dhimbjeve të fytit shkaktohen nga viruset. Një antibiotik nuk ndihmon në lehtësimin e dhimbjes së fytit të shkaktuar nga një virus.
Disa dhimbje të fytit shkaktohen nga bakteri Streptokok. Nëse dhimbja e fytit shoqërohet me rrjedhje të hundës, kollë, zë të ngjirur, skuqje e syve ose diarre, ka të ngjarë që është shkaktuar për shkak të një virusi dhe JO nga streptokoku i fytit.
Mjeku nuk mund ta dallojë vetëm duke e parë me sy nëse dhimbja e fytit është shkaktuar nga streptokoku i fytit.
- Nëse dhimbja e fytit është pjesë e një ftohjeje, ka shumë të ngjarë të shkaktohet nga një virus
dhe nuk nevojitet një tampon fyti. - Nëse nuk keni shenja të ftohjes, mjeku juaj mund të marrë një mostër me një tampon fyti për të përcaktuar nëse dhimbja e fytit shkaktohet nga një bakter apo virus. Rezultatet e testit zakonisht dalin brenda 48 orëve.
- Nëse rezultatet e testit janë negative, antibiotikët nuk do të funksionojnë sepse ka të ngjarë që dhimbja e fytit të shkaktohet nga një virus.
- Nëse rezultatet e testit janë pozitive, mjeku juaj mund të vendosë t’ju japë një antibiotik me recetë.
- Anëtarët e tjerë të familjes nuk kanë nevojë të testohen nëse nuk janë të sëmurë.
Menaxhimi:
- Pini shumë lëngje, si p.sh., ujë.
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimeve në paketim) për dhimbje fyti dhe ethe.
- Për fëmijët e moshës gjashtë vjeç e lart dhe të rriturit, tabletat e thjeshta të fytit mund të lehtësojnë simptomat.
SHËNIM: Fëmijëve më të vegjël nuk duhet t’u jepen tableta për shkak të rrezikut të mbytjes. - Për fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit, gargara me ujë të ngrohtë e të kripur do ta bëjë fytin të ndihet më mirë. Përzieni 1⁄2 lugë çaji me kripë kokërr me 1 filxhan (250 ml) ujë të ngrohtë. Bëni gargarë për 10 sekonda. Mund të bëhet 4-5 herë në ditë.
- Ju ose fëmija juaj mund të ktheheni në aktivitetin normal kur të ndiheni më mirë.
Dhimbja e veshit
Tubi Eustachian lidh veshin e mesëm dhe pjesën e pasme të fytit. Për shkak se ky tub është i ngushtë te fëmijët e vegjël, mund të bllokohet sidomos me një ftohje. Ky bllokim mund të çojë në infeksion.
Është e rëndësishme të theksohet se 70-80% e fëmijëve që kanë infeksion të veshit përmirësohen pa një antibiotik. Disa infeksione të veshit ndodhin për shkak të viruseve dhe disa të tjera për shkak të baktereve. Kujdesi i vazhudueshëm është një qasje e arsyeshme që mund të rekomandojë mjeku juaj.
Simptomat:
- Ethe
- Dhimbje veshi
- Nervozizëm
Parandalimi:
- Lani duart shpesh dhe mësoni fëmijën tuaj për larjen e duarve pasi shumica e infeksioneve të veshit vijnë pas ftohjes.
- Shmangni ekspozimin e fëmijës tuaj ndaj ambienteve ku lejohet duhani.
- Mos i jepni fëmijës tuaj një shishe për të pirë kur është shtrirë.
Menaxhimi:
- Konsideroni përdorimin e paracetomolit ose ibuprofenit (sipas udhëzimit në paketim) për dhimbje ose ethe.
- Vendosni një leckë të ngrohtë mbi pjesën e jashtme të veshit.
- Antihistaminat dhe dekongestantët nuk ndihmojnë në shërimin e infeksionit të veshit.
- Në rrethana të caktuara, mjeku mund të japë antibiotikë me recetë pas kontrollit të veshëve të fëmijës tuaj.
- Për shkak të rrezikut të rezistencës ndaj antibiotikëve, nuk rekomandohet më dhënia e antibiotikëve për periudha të gjata për parandalimin e infeksioneve të veshit.
Kolla
Shumica e kollës te të rriturit dhe fëmijët shkaktohet nga infeksionet virale të traktit respirator (shikoni grafikun më poshtë). Antibiotikët duhet të përdoren për kollë vetëm nëse pacienti ka pneumoni për shkak të baktereve ose nëse ka rezultuar pozitiv për pertusis (kollë e mirë).
Simptomat:
- Ethe, kollë dhe dhimbje kraharori.
- Kollitje me mukozë që mund të jetë e verdhë ose jeshile. Kjo nuk do të thotë se është një infeksion bakterial.
- Mund të shoqërohet dhe me vështirësi në frymëmarrje.
SHËNIM: Me bronkit akut, 45% e njerëzve kanë ende kollë pas 2 javësh. 25% e njerëzve kanë ende kollë pas 3 javësh
Sëmundja | Pjesët e prekura | Grupmosha | Shkaku |
Laringit | Kordat vokale | Fëmijët e mëdhenj / të rriturit | Virus |
Krupe | Kordat vokale dhe laringu | Fëmijët e vegjël | Virus |
Bronkit1 | Tubat e frymëmarrjes (të mëdha) | Fëmijët e mëdhenj / të rriturit | Virus |
Bronkiolit | Tubat e frymëmarrjes (të vegjël) | Të sapolindurit | Virus |
Pneumoni | Qeset e ajrit | Të gjitha moshat | Bakter ose virus |
Kollë e mirë | Nga hunda deri në mushkëri | Çdo moshë | Bakter |
1Pacientët me sëmundje të rënda afatgjata të mushkërisë ndonjëherë marrin infeksion bakterial kur preken nga bronkiti.
Menaxhimi:
- Pini shumë lëngje, si p.sh., ujë.
- Supresantët e kollës mund të ndihmojnë fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit.
SHËNIM: Mos ua jepni këto produkte foshnjave ose fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç.
SHËNIM: Shurupi për kollë mund të përmbajë gjithashtu mjekim për uljen e temperaturës. Lexoni me kujdes etiketat dhe konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për të shmangur mbidozën. - Tabletat për kollë mund të ndihmojnë fëmijët më të mëdhenj dhe të rriturit. Shmangni tabletat antibakteriale të kollës sepse ato mund të çojnë në rezistencë ndaj antibiotikëve.
SHËNIM: Tabletat për kollë nuk duhet t’u jepen fëmijëve më të vegjël se gjashtë vjeç për shkak të rrezikut të mbytjes. - Rekomandohet një radiografi e kraharorit për të diagnostikuar pneumoninë bakteriale. Pasi përcaktohet diagnoza, zakonisht jepen dhe antibiotikët me recetë.
Simptomat serioze që duhen kontrolluar nga një profesionist mjekësor
Këto simptoma kërkojnë vëmendjen e një mjeku ose infermieri.
Ethe:
- Nëse një fëmijë nën moshën 3 muajshe ka ethe, duhet kontrolluar menjëherë.
- Nëse një fëmijë i çdolloj moshe ka ethe dhe nuk ndihet mirë, duhet kontrolluar menjëherë.
- Nëse një fëmijë i çdolloj moshe ka ethe për më shumë se 3 ditë, duhet të kontrollohet brenda 24 orëve.
Dhimbje veshi
Konsultohuni me një mjek nëse fëmija ka dhimbje veshi dhe:
- Kanë temperaturë të lartë ose,
- Nuk duken mirë ose,
- Kanë skuqje ose ënjtje pas veshit ose,
- Veshi është i anuar përpara ose,
- Dhimbja e tyre e veshit mbetet e fortë për më shumë se 24 orë pavarësisht përdorimit të paracetomolit/ibuprofenit.
Të rriturit me ethe ose me sëmundje të tjera duhet të konsultohen gjithmonë me mjekun ose infermierin e tyre
nëse simptomat përkeqësohen ose janë shumë të rënda.
Në Alberta, mund të telefononi Health Link (në 811) nëse keni nevojë për këshilla ose jeni të pasigurt për mënyrën më të mirë të veprimit.
Për këshilla praktike mbi problemet e shëndetit te fëmijët, vizitoni ahs.ca/heal, një burim informacioni publik i
mirëmbajtur nga spitali “Stollery Children’s Hospital”.
Shenjat e emergjencave shëndetësore
Nëse ju ose dikush për të cilin po kujdeseni shfaq këto simptoma, kërkoni menjëherë kujdes mjekësor.
Ethe
Kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse:
- Një person i çdolloj moshe me ethe është shumë nervoz ose letargjik (vështirësi për t’u zgjuar ose për të qëndruar zgjuar), ka të vjella vazhdimisht dhe mund të ketë qafë të mprië ose skuqje të madhe që nuk largohet kur ushtroni forcë mbi njolla (që mund të duken si të nxira të vogla).
Frymëmarrja
Kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse:
- Një person i sëmurë i çdolloj moshe ka vështirësi në frymëmarrje (jo të shkaktuar nga një hundë e bllokuar).
- Një person i sëmurë po merr frymë shumë më shpejt ose më ngadalë se zakonisht ose i ka buzët, duart apo këmbët në ngjyrë blu.
Gjendja e përgjithshme
Kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse:
- Një person i sëmurë i çdolloj moshe e ka të vështirë të zgjohet ose të qëndrojë zgjuar, ose është më konfuz, nervoz ose më i shqetësuar se normalisht, ka një dhimbje koke të fortë që nuk largohet, ka qafë të mpirë, ka lëkurë me shenja të kuqe ose shumë të zbehtë, ose është i ftohtë kur e prek.
- Një person i sëmurë ka shenja dehidratimi, të cilat përfshijnë lëkurë të thatë, gojë të thatë, një pjesë të butë te koka e foshnjës (fontanela), ose ka shumë pak urinë.
Arsyet e tjera për të kërkuar kujdes të menjëhershëm mjekësor përfshijnë:
- Nëse një person i sëmurë ka vështirësi në gëlltitje ose nxjerr shumë jargë.
- Nëse një person i sëmurë i çdolloj moshe ndihet i dobët, është i paaftë për të lëvizur ose ka kriza.
Ky informacion është dhënë vetëm si referencë. Në çdo kohë, ju duhet të përdorni njohuritë dhe gjykimin tuaj nëse ju duhet të flisni me një mjek, infermier apo infermier praktikues.
Në Alberta, mund të telefononi Health Link (në 811) nëse ju duhet këshillë ose jeni të pasigurt se cila është mënyra më e mirë e veprimit.
Rezistenca ndaj antibiotikëve
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve?
- Përdorimi i antibiotikëve, qoftë për arsyet e duhura ose të gabuara, mund të çojë në rezistencën ndaj antibiotikëve. Për të kufizuar zhvillimin e rezistencës ndaj antibiotikëve, antibiotikët duhet të
përdoren vetëm nëse është e nevojshme. - Rezistenca ndaj antibiotikëve është një mekanizëm mbrojtës i baktereve që i lejon ata të jetojnë dhe të shumohen, edhe kur një antibiotik është i pranishëm. Bakteret që kanë rezistencë ndaj antibiotikëve shpeshherë quhen “superbaktere”.
- Kur bakteret kanë rezistencë ndaj antibiotikëve, antibiotikët që kanë funksionuar dikur nuk funksionojnë më.
- Infeksionet e shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve janë të vështira dhe ndonjëherë të pamundura për t’u trajtuar. Kjo mund të rezultojë në sëmundje afatgjata dhe ndoshta në vdekje.
- Kini parasysh, bakteret janë rezistente – JO JU! Edhe njerëzit e shëndetshëm që nuk kanë marrë kurrë antibiotikë mund të infektohen me baktere rezistente ndaj antibiotikëve nga burime të tjera.
Antibiotikët nuk të ndihmojnë për infeksione virale, si ftohjet, gripi dhe bronkiti (ftohje në kraharor). Përdorimi i antibiotikëve për këto infeksione mund të çojë në rezistencën ndaj antibiotikëve.
Çfarë duhet të bëni?
- Mos merrni antibiotikë kur ju ose fëmija juaj ka kollë ose ftohje. Shumica e këtyre infeksioneve shkaktohen nga viruse dhe antibiotikët nuk ndihmojnë.
- Flisni me mjekun tuaj nëse infeksioni është viral apo bakterial dhe nëse nevojiten antibiotikë.
- Jini të durueshëm kur ju (ose fëmija juaj) keni simptoma të ftohjes, kollës ose dhimbje fyti. Sëmundjet më virale zgjasin 4-5 ditë përpara se të ndiheni më mirë dhe deri në 3 javë për shërim të plotë.
- Gjatë sezonit të gripit ose ftohjes, lani duart rregullisht për të parandaluar sëmundjen. Ndiqni këshillat tona të detajuara për larjen e duarve në faqen tjetër.
Shmangni betejën me një BAKTER SUPER REZISTENT. Përdorini antibiotikët në mënyrën e duhur!
Larja e duarve
Larja e duarve është mënyra më e mirë për të ndaluar përhapjen e
infeksioneve. 80% e infeksioneve mund të përhapen përmes duarve.
Kur duhet t’i lani duart:
- Para vakteve
- Para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit
- Para ushqyerjes me gji
- Pas përdorimit të tualetit ose pasi keni ndihmuar një fëmijë të përdorë tualetin
- Para ose pas ndërrimit të pelenave ose produkteve të higjenenës personale femërore
- Pas shfryrjes së hundëve ose fshirjes së hundës së një fëmije
- Pas prekjes së objekteve që i kanë pasur dhe të tjerët
- Para se të vendosni ose të hiqni lentet e kontaktit
- Para dhe pasi të kujdeseni për dikë që është i sëmurë
- Pas prekjes së kafshës ose ushqimit të tyre ose pas mbajtjes së mbetjes së kafshës
- Para dhe pas pastrimit të dhëmbëve
Si t'i lani duart:
- Përdorni ujë dhe sapun. Larja vetëm me ujë nuk i largon mikrobet.
- Lagni duart.
- Përdorni sapun të thjeshtë. Mos përdorni sapun antibakterial.
- Fërkoni duart bashkë për 20 sekonda (ose për aq kohë sa duhet për të kënduar Vezullo, vezullo yll i vogël). Fërkoni gjithë pjesët e duarve duke përfshirë pëllëmbët, mes gishtave, gishtat e mëdhenj, sipër duarve, kyçet, majat e gishtave dhe thonjtë.
- Shpëlani duart për 10 sekonda.
- Thajini duart mirë me një peshqir të pastër.
Çfarë duhet të bëni:
- Prisni që mjekët, dentistët, infermierët dhe terapistët t’i lajnë duart përpara se të kontrollojnë fëmijën tuaj.
- Sigurohuni që të ketë sapun të thjeshtë në tualetin e shkollës së fëmijës tuaj dhe në vendin tuaj të punës.
- Sigurohuni që qendrat e kujdesit për fëmijët të kenë vende ku të rriturit dhe fëmijët mund të lajnë duart.
- Përdorni sapun të thjeshtë. Sapuni i thjeshtë funksionon po aq mirë sa sapuni antibakterial. Sapuni antibakerial nuk rekomandohet sepse çon në rezistencë bakteriale dhe nuk është më efektiv se sapuni i thjeshtë.
- Mësoni nga shembulli.
“Do Bugs Need Drugs”, Kontrolli i Sëmundjeve të Transmetueshme, Alberta Health Services.
DBND@ahs.ca
www.dobugsneeddrugs.org
© 2022 Alberta Health Services, Shëndeti i popullsisë, publik dhe provincial
Kjo punë është e licencuar sipas licencës ndërkombëtare Creative Commons Attribution-Non-commercial-Share Alike 4.0. Për të parë një kopje të kësaj licence, shikoni https://creativecommons.org/licenses/by-nc-sa/4.0/. Jeni të lirë të kopjoni, shpërndani ose të përshtatni punën për qëllime jotregtare, për sa kohë ia atribuoni punën “Alberta Health Services” dhe respektoni kushtet e tjera të licencës. Nëse e ndryshoni, transformoni ose e zhvilloni këtë punë, mund ta shpërndani punën rezultuese vetëm sipas një licence të ngjashme, të njëjtë ose të pajtueshme. Licenca nuk vlen për markat tregtare, logot ose përmbajtjet e AHS për të cilat “Alberta Health Services” nuk është zotërues i të drejtës së autorit.
Deklarata e mohimit të përgjegjësisë:
Ky material ka si qëllim të ofrojë informacione të përgjithshme dhe ofrohet mbi bazën “siç është”, “aty ku është”. Pavarësisht përpjekjeve të arsyeshme për të konfirmuar saktësinë e informacionit, “Alberta Health Services” nuk përbën asnjë përfaqësim ose garanci, të shprehur, të nënkuptuar ose ligjore, për sa i përket saktësisë, besueshmërisë, plotësisë, zbatueshmërisë ose përshtatshmërisë për një qëllim të caktuar të një informacioni të tillë. Ky material nuk është zëvendësues i këshillave të një profesionisti të kualifikuar të shëndetit. “Alberta Health Services” mohon shprehimisht të gjitha përgjegjësitë për përdorimin e këtyre materialeve dhe për çdo pretendim, veprim, kërkesë ose padi që rrjedh nga ky përdorim.
